Sulmuesi argjentinas

Aguero thyen rekord në Premierligë

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, e ka thyer rekordin e Thierry Henrys për më së shumti gola të shënuara në Premierligë nga një lojtar i huaj. Këtë rekord ai e arriti gjatë fitores të së dielës kundër Aston Villas.

Argjentinasi Sergio Aguero e kaloi rekordin 177-golësh të Thierry Henrys me tri golat e tij të shënuara të dielën, kur i arriti plot 177 gola në karrierën e tij në Premierligë.

Ai shënoi het-trik në fitoren 6:1 të Manchester Cityt kundër Aston Villës, me golat e tij në minutat 28’, 57’ dhe 81’.

31-vjeçari e arriti këtë rekord në tre ndeshje më pak të zhvilluara sesa legjenda franceze e Arsenalit, të cilit i ishin duhur 258 ndeshje për ta arritur rekordin.

Aguero gjithashtu e barazoi rekordin e ikonës së Chelseat, Frank Lampardit, në listën e futbollistëve me më së shumti gola në përgjithësi në Premierligë. Tani ai radhitet në këtë listë pas vetëm dyshes legjendare të Manchester Unitedit Andy Cole dhe Wayne Rooneyt, si dhe legjendës së Newcastle: Alan Shearer.

Aguero e nisi rrugën drejt këtyre rekordeve në vitin 2011, kur e kompletoi transferimin nga Atletico Madridi për 40 milionë euro. Kontrata e tij në Etihad është e vlefshme deri në vitin 2021.