Agon Maliqi e tall keq Enver Robellin, pasi gazetari adhurues i Kurtit thuri një konspiracion për Escobarin

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka ironizuar me “zbulimin” e fundit të gazetarit Enver Robelli, që njihet si një përkrahës i kryeministrit Albin Kurti, i cili u mundua t’ia gjejë një lidhje me Serbinë, zëvendës-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, njëherit i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar.

Me shaka, e për objekt talljeje gazetarin në fjalë, Maliqi ndërtoi një konspiracion për Presidentin Biden, duke ia bërë të ditur Robellit, në mënyrë indirekte, se deklarata e tij është e kotë dhe e pavend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Flitet se në vitin 2008, në ditën kur u shpall pavarësia, Biden ka qenë duke pirë raki me fqinjin e tij serb dhe, në momentin e shpalljes, i ka ngritur tre gishta duke bërtitur: “Živela Srbija!”

Aty në këtë kafene serbe në Virxhinia thuhet se Biden bashkë me fqinjin e tij, i cili kishte lidhje me narko-kartelet e Darko Saric, e kishin thurrur planin se si Kosovën t’ia kthenin hap pas hapi Serbisë përmes Gjykatës Speciale dhe Zajednicës. Këtë plan thuhet ta kenë ditur vetëm BIA, sherbimi sektet rus dhe dy shqiptarë në një çajtore në Osnabrück”, shkroi Maliqi në postim në Facebook.

Postimi i tij:

Ndërsa ka shkruar për biografinë e William Montgomery, ambasadorit të fundit të SHBA-ve në Jugosllavi, të cilin e lidh fort me Serbinë, gazetari Robelli tha sot se para dy dekadave, Escobar ishte vartës i tij.

Robelli tha se sipas revistës “Vreme”, akuzat e Montgomeryt kundër Gjukanoviqit dhe Gjingjiqit nga Beogradi në Zagreb i barti diplomati amerikan, Gabriel Escobar.

“Qëllimi i diskreditimit të Gjukanoviqit ishte pengimi i shpërbërjes së Jugosllavisë së përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Para dy dekadave Escobar ishte vartës i Montgomeryt. Tani ai ushtron një funksion tjetër: është i ngarkuar për Ballkanin i Departamentit të Shtetit, me fokus në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë”, shkroi Robelli, duke tentuar kështu të gjejë lidhjen sipas tij që ka Escobar me Serbinë.

Kjo nuk është hera e parë që nga eksponentë të VV-së dhe servilë të Kurtit, sulmohen zyrtarët amerikanë dhe i lidhin me Serbinë.

Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2020, ku ish emisarin amerikan, Richard Grenell, njëherit ish-këshilltar i ish-presidentit Donald Trump, nga zyrtarë e aktivistë të Vetëvendosjes, ishte cilësuar si njeri i afërt me Serbinë. /Reporteri.net/.