Dimal Basha

AGK: Të papranueshme dhe të rrezikshme sulmet e deputetit Basha

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka quajtur të papranueshme dhe të rrezikshme deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ndaj mediave dhe aktivistes Flutura Kusari.

“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dhe asnjë cent nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por, ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap”, ka thënë Basha të enjten në seancën e Kuvendit në një deklaratë jashtë rendit të ditës.

Këtë deklaratë, AGK-ja e ka cilësuar “sulm të papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe pluralizimit medial në Kosovë”.

Basha ka etiketuar juristen e medies, aktivisten Flutura Kusari.

“Ka rëndësi edhe kanihere kush fol. Për shembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve , por as me e zhvat këtë Republikë”, ka thënë Basha.

“Sulmi ndaj zonjës Kusari është sulm i papranueshëm, i rrezikshëm dhe me bazë gjinore. Akuzat e zotit Basha nga foltorja e Kuvendit e vënë në rrezik sigurinë e zonjës Kusari, dhe kanë për qëllim heshtjen e zërave kritikues të shoqërisë civile”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Gjuha e zotit Basha, fatkeqësisht, është reflektim i qëndrimeve dhe politikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës kundër lirisë së medieve, lirisë së shprehjes dhe pluralitetitit medial në Kosovë”, përfundon reagimi i AGK-së.

Të enjten, Kusari dhe përfaqësues të Bordit të AGK-së kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet rreth Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), i cili pritej të shqyrtohej në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës. Ata i bënë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligji. E seanca u ndërpre në mungesë kuorumi.

Në një kundërpërgjigje në Facebook, deputeti Basha ka thënë se u qëndron prapa deklaratave të tij.
“AGK prapë i paska kualifiku qëndrimet e mia si ‘të papranueshme dhe të rrezikshme’. Mirë boll, veç tregoni ku kam thënë diçka të pavërtetë?” ka shkruar ai teksa ka shtuar deklarimet që i ka bërë në Kuvend. “Çka ka t’pavërtetë këtu? Të dy argumentet lartë qëndrojnë, prandaj derisa nuk keni argument ndryshe, veç rrini duke u mospajtu, por rrëzik nuk ka! Rrëzik ka qenë kur pushtetet e kaluara kanë nda mjete për medie duke i falimentu Ndërrmarrjet Publike, dhe rrëzik sot është shpifja dhe manipulimi që e bëjnë plotë media në emër të lirisë së mediave, përfshi znj. Kusari!”