AGK kërkon nga Haradinaj shkarkimin e Shalës, kurse Limajt i kërkohet distancim nga ai

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj që ta shkarkojë ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, pas publikimit të pamjeve ku shihet se si ai godet gazetarin e IndeksOnline, Ensar Ramadani.

“Këto pamje dëshmojnë se si një person që përfaqëson institucionet e shtetit, pa frikë godet gazetarin. Një person i tillë nuk meriton të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës, aq më pak përfaqësues i popullit”, thuhet në një njoftim për media.

Në një situatë të tillë AGK kërkon nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që të distancohet nga ky veprim i Shalës.

AGK vlerëson se pas publikimit të kësaj videoje , çdo gjë është e qartë dhe se drejtësia duhet të veprojë sa më parë.

“Sjellja e ministrit karshi gazetarit i cili po kryente detyrën e tij, për AGK është e papranueshme dhe e patolerueshme. Situata bëhet edhe më e rëndë kur Shala, një ditë para se të publikoheshin këto pamje, kishte deklaruar se nuk e ka goditur gazetarin Ramadani’, thuhet tutje në njoftim.

AGK kërkon nga Shala, që të kërkoj falje publike, të pranojë fajësinë dhe në të njëjtën kohë nuk mjaftohet vetëm me një intervistim të tij nga ana e prokurorisë.

“Në të kundërtën fton të gjithë kolegët gazetarë që të bojkotojnë punën e tij derisa ndaj këtij akti të merren masa konkrete nga autoritet përkatëse”, thuhet në njoftimin e AGK-së.