AGK kërkon nga deputetët që të mos të votojnë ligjin që fut gazetarët e RTK-së në listën e pagave të shtetit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj nismës së komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që parasheh që gazetarët e televizionit publik të përfshihen në listën e pagave të shtetit.

Rrjedhimisht, AGK-ja ka kërkuar që kjo gjë të mos votohet nesër në Kuvend të Kosovës përmes Ligjit për Paga.

Për më tepër, Asociacioni i Gazetarëve ka kërkuar nga Presidenti i vendit mos dekretimin e këtij ligji, në rast se kalon nesër në Kuvend të Kosovës.

Ky është reagimi i plotë i AGK-së:

AGK kundër futjes së RTK-së në ligjin e pagave

Prishtinë, 01.02.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellë me vëmendje përpilimin e ligjit për pagat nga ana e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, si dhe shqetësimet e ngritura për këtë nismë, ku është propozuar të përfshihet edhe transmetuesi publik, RTK-ja.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes kërkesës zyrtare, ka disa ditë që i është drejtuar kreut të këtij Komisioni, z. Nait Hasani, i cili njëherësh është edhe inicues i përfshirjes së punonjësve të RTK-së në ligjin e pagave, me interesimin se nga cila praktikë e Transmetuesve Publik të vendeve demokratike është shërbyer kur kanë propozuar një zgjidhje të tillë. Mirëpo as deri më sot, z. Hasani nuk i është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga AGK.

AGK kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë ligjin për paga ku nën një ombrellë futen gazetarë e shërbyes civil dhe pagat e punonjësve të RTK-së qoftë me apo pa kufizime, të rregullohen me ligj të veçantë.

AGK do të vazhdojë ta përcjellë nga afër këtë nismë dhe nëse një ligj i tillë miratohet, do të kërkojë mos dekretimin e tij nga Presidenti dhe do të ndërmarrë hapa tjerë në shërbim të mbrojtjes së gazetarëve.