AGK-ja kërkon konkurs të ri për drejtor të RTK-së, emërimin e Gërvallës e sheh si politik

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pare si konflikt interesi dhe cënim të pavarësisë së RTK-së emërimin e Rilind Gërvallës, aktivist i VV-së, në drejtor të kanaleve shqip të transmetuesit publik.

“AGK-ja, konsideron se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik. Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”, thuhet në njoftim, shkruan Demokracia.com.

“Rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe professional”, vijon njoftimi.

AGK ka kërkuar që të fillojë një proces i ri i rekrutimit për të parin e RTK-së “pa ndërhyje politike”.

“Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, thuhet më tej në njoftimin e Asociacionit të Gazetarëve.