AGK i reagon Sveçlës pas gjuhës së papranueshme në konferencë ndaj gazetares

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë reaguar sot ndaj gjuhës që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përdorur ndaj gazetares së portalit “Periskopi”, Besarta Hoti.

Sveçla i ka thënë gazetares që të mos bëjë pyetje “budallallëqe”, dhe një reagimi i tillë i Sveçlës në konferencë për AGK-në është sjellje joprofesionale dhe që përmban konotacione seksiste.

Për më tepër, AGK thekson se ndaj gazetares në fjalë, është organizuar edhe një varg linçimesh, si rezultat i sjelljes së ministrit Sveçla në konferencë.

“Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një konferencë shtypi sot i ka quajtur “budallallëqe” pyetjet e gazetares, Besarta Hoti, të portalit “Periskopi”.Gazetarja Hoti e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, në një konferencë shtypi.Sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale për postin që mbanë dhe gjithashtu ka konotacione seksiste. Përgjigja e tij ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren.AGK-ja konsideron se gazetarët janë të lirë të pyesin çdo lloj pyetje në interes publik, pavarësisht temës qendrore të konferencës. Për më tepër, MPB-ja sikurse ministri të tjera të qeverisë nuk kthejnë përgjigje shumicën e kohës në pyetjet e mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.