Agjenti i Muriqit flet për ofertat: Nuk ka nga Interi, por ka nga Premierliga, Bundesliga, Serie A e La Liga

Vedat Muriqi është njëri nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë. Sulmuesi nga Kosova ka shkëlqyer me fanellën e Dardanëve, por edhe me Fenerbahcen në Superligën e Turqisë.

Inter, Napoli, Juventus, Milan, Lazio, Fiorentina, Manchester United, Tottenham Hotspur, Bournemouth e Atletico Madrid janë vetëm disa nga skuadrat që e duan lojtarin.

Menaxheri i lojtarit, Deniz Uysal ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare nga Interi.

“Jo deri më tani nuk kemi marrë ndonjë ofertë zyrtare nga Interi”, ka deklaruar Deniz Uysal, agjenti i sulmuesit kosovar.

Tutje agjenti i prizrenasit ka thënë se për Muriqin ka oferta nga katër ligat më të mëdha evropiane si Bundesliga, Serie A, Liga Premier dhe La Liga.

“Por është e vërtetë që kemi oferta nga ekipet e Premierligës , Bundesliga, Serie A, La Liga, por edhe nga Katari dhe Arabia Saudite”.

“Muriqi është lojtar që do të ishte përshtatur në Angli e Itali”, është shprehur Uysal.

Uysal ka thënë se Muriqi është një sulmues që ka përzierjen e Robert Lewandowskit dhe Zlatan Ibrahimoviqit.

“Shënues i fortë dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm pranë golit. Kjo është arsyeja se unë them se Muriqi është një përzierje mes Robert Lewandowskit dhe Zlatan Ibrahimoviqit”, përfundoi Uysal.

Muriqi deri më tani ka shënuar pesë gola në elitën e futbollit turk në nëntë ndeshjet e para.

loading…