Agjenti i Lautaro Martinez, Alberto Yaque, ka konfirmuar se kampioni i La Ligës, Barcelonës, është i interesuar ta transferojë sulmuesin argjentinas të Interit gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Lautaro Martinez, 21-vjeçar, ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm në Barcelonë për 112 milionë euro këtë verë, vetëm një sezon pasi ai iu bashkua Interit nga Racing Club.
Argjentinasi i shënoi nëntë gola në të gjitha garat – gjashtë në Serie A – gjatë sezonit të kaluar dhe ai ishte në qendër të sulmit të Interit pas zënkës mes Mauro Icardit dhe klubit.
Që nga atëherë, ai iu bashkua ekipit kombëtar për Kupën e Amerikës, ku i shënoi dy gola në të gjitha garat. Ai, bashkë me Sergio Agueron, ishin golashënuesit më të mirë në skuadrën e Argjentinës.
Kur u pyet për spekulimet që e lidhin Martinezin me Barcelonën, Yaque i tha Oles: “Fjalët për interesimin e Barcelonës janë të vërteta”.
“Askush nuk na ka telefonuar neve, por ne e dimë se ata kanë qenë duke na vëzhguar fuqishëm. Është e vërtetë që Barcelonës i pëlqen ai”.
Interi këtë verë ka transferuar Diego Godinin si transferim të lirë, gjersa është përforcuar edhe me Valentino Lazaron dhe Stefano Sensin, ndërsa ata pritet që së shpejti ta transferojnë edhe mesfushorin e Cagliarit, Nicolo Barellan.







