Agjenti i Cristiano Ronaldos insiston se ylli portugez është futbollisti më i mirë në histori

Agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, ka insistuar se sulmuesi i Juventusit duhet të vlerësohet si lojtari më i mirë në histori të futbollit, përkundër që e humbi garën kundër Lionel Messit për Topin e Artë këtë vit.

Cristiano Ronaldo u radhit i tretë në garën për Topin e Artë 2019, duke mbetur prapa fituesit Lionel Messi dhe qendërmbrojtësit Virgil Van Dijk, në ceremoninë që u mbajt të hënën në mbrëmje në Paris.

Messi u shpërblye për të gjashtën herë në karrierë me Topin e Artë, pasi e fitoi titullin e La Ligës sezonin e kaluar, ndërsa bëri paraqitje mbresëlënëse edhe në garat e tjera.

Ndërkohë, Van Dijk e mbylli garën i dyti në radhitje, para Ronaldos, për shkak të kontributit të tij në kampanjën fituese të Ligës së Kampionëve, edhe pse ylli i Juventusit arriti ta mposhtë Holandën e Van Dijk me Portugalinë në finalen e Ligës së Kombeve.

34-vjeçari Ronaldo i shënoi 21 gola sezonin e kaluar dhe i ndihmoi Juventusit në fitimin e titullit në Serie A për të tetën herë radhazi. Portugezi nuk mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të hënën në Paris.

“Cristiano është lojtari më i mirë në histori dhe ju e dini këtë!”, ka thënë Mendes në ceremoninë Gran Gala del Calcio, ku Ronaldo e mori çmimin si lojtari më i mirë në Serie A.