Heronjtë

AGJENDA | Pemishtja nderon heronjtë e saj nesër

Në përvjetorin e betejës së ushtarëve të Pikës “Qarri” në Pemishte apo Togut I dhe ofensivës serbe në këtë pjesë, ku ranë heroikisht Mustafë Qorri, Ajet Beqiri, Shukri Qorri dhe Isuf Sadikaj, bashkëluftëtarët e tyre dhe banorët e Pemishtes i kanë organizuar disa ngjarje përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e Pemishtes.

Nesër, më 26 mars, sipas agjendës zyrtare që tashmë është bërë publike, homazhet fillojnë nga ora 11:00 pranë varrit të dëshmorit Mustafë Qorraj dhe varrezave të martirëve në Lagjen Imeraj, ndërsa përfundojnë në orën 20:00, në odën muze, e cila ishte bazë ushtarake e njësisë së Pikës “Qarri”.

Agjendën e ka bërë publike Hektor Beqiri, i cili vjen nga fshati i Pemishtes.

“Djemtë e Pikës Qarri, familjarët, miqtë dhe dashamirët, më 26 mars 2024, mblidhen për t’i kujtuar e nderuar dëshmorët dhe martirët e Pemishtës.

Njoftimi i plotë:

Javën tjetër nderojmë dëshmorët tanë, Ajet Beqirin, Mustafë Qorrin, Shukri Qorrin, Isuf Sadikajn dhe 19 martirët e familjes Imeraj. Po ashtu, kujtojmë e nderojmë edhe nënat dhe baballarët tanë. Në lagjen Fetahaj ra në altarin e lirisë nëna jonë Zelihe Fetahu. Në Lagjen Qorraj ra në altarin e lirisë nëna jonë Hafize Qorraj, e cila u ekzekutua nga forcat serbe dhe trupin e saj të pajetë e dogjën. Në lagjen Hoti ranë në altarin e lirisë baballarët tanë, Gjemajl Hoti e Ramadan Hoti, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe dhe, po ashtu, trupat e pajetë ua dogjën. Pemishtja nderon heronjtë e saj!”, ka shkruar Beqiri.

Në mesin e 19 martirëve të familjes Imeraj, pjesa më e madhe e tyre ishin gra dhe fëmijë. Po ashtu, në lagjet Fetahaj dhe Qorraj, paramilitarët serbë i kishin vrarë edhe dy nënat Zelihe Fetahu dhe Hafize Qorraj, të cilave ua kishin djegur më pas edhe trupat e pajetë. Ndërsa, në lagjen Hoti ishin ekzekutuar edhe Gjemajl Hoti e Ramadan Hoti, të cilëve po ashtu ua kishin djegur trupat e pajetë.