Agjencia për Privatësi kërkon të mos publikohen të dhënat personale të veteranëve: Është shkelje

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë thirrje që mos të publikohen listat me të dhënat personale të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

AIP përmes një komunikate ka vlerësuar se është shkelje ligjore nëse bëhen publike listat me të dhënat personale “që e identitifkojnë subjektin e të dhënave në këtë fazë, pa pasur një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë”.

Tutje thuhet se “institucionet përkatëse, të cilat i kanë përpunuar këto të dhëna duhet të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për të mos cenuar të dhënat e personale të individëve”.

“Për më tepër, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, ka të drejtë të përpunoj të dhëna personale të anëtarëve të saj për qëllime të qarta dhe legjitime duke ju përmbajtur parimeve të përpunimit të të dhënave, duke ndërmarr të gjitha masat e duhura organizative për ruajtjen dhe sigurinë e tyre, si dhe duke mos lejuar qasjen e paautorizuar të personave tjerë”, thuhet në komunikatë.