Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit: Gjilani, rajoni më i ndotur në Kosovë

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK)  ka nxjerrë rajonin e Gjilanit më të papastrin në nivel vendi. Ky rajon, që përbëhet nga 7 komuna, është më i ndoturi nga mbeturinat.

Në bazë të raportit, i cili trajton çështjen e menaxhimit të mbeturinave komunale në rajonin e Gjilanit janë identifikuar 228 deponi ilegale të mbeturinave, i cili rajon përbëhet nga komuna e Vitisë, Novobërdës, Kamenicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe Gjilanit. Kompania e pastrimit “Ekohigjiena” është e angazhuar për ofrimin e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave komunale dhe transportimin e tyre deri te deponia rajonale e mbeturinave që gjendet në Velekincë të Komunës së Gjilani.

Ballkani.info ka kontaktuar me kryeshefin e Agjencisë për Mbrotjen e Mjedisit, Ilir Morina i cili tha se raporti është obligim ligjor që i shërben Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë.

“Raporti mjedisit është obligim ligjor qe përgatitet çdo vit për Parlamentin e Kosovës dhe Qeverinë.  Agjencia e Mjedisit me monitorimet e saj dhe raportet e të tjerëve i përpunon edhe paraqet gjendjen dhe jep rekomandimet”, tha ai.

Më tutje tha se Parlamenti dhe  Qeveria duhet të marr parasysh raportin që ndikojnë në përmirësimin e politikave.

“Pastaj Parlamenti dhe Qeveria merr masa për ndryshim objektivash, përmirësim politikash”, përfundoi kryeshefi AMMK-së.
Raporti publikohet edhe ne web faqen e Agjencisë Evropiane të Mjedisit. /Ballkani.info/