Agjencia e Metrologjisë do të zhvendoset në qendrën e panaireve në Bërnicë

Dy milionë euro janë investuar për ndërtimin e një objekti i cili është në pronësi të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili gjendet në kuadër të qendrave të panaireve në Bërnicë.

Por, tash e sa kohë ato kanë mbetur të pashfrytëzushme. Madje, objekti ka filluar edhe të dëmtohet. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka njoftuar se sot do të merret vendimi që në këtë objekt të dislokohet Agjencia e Metrologjisë.

Ai sot vizitoi këtë qendër ky edhe tha se do të dislokohet agjencia në fjalë.

Qëllimi i kësaj vizite, sipas Shalës ka qenë gjendja jo e mirë e këtyre objekteve.

“Një objekt për të cilin Qeveria e Kosovës ka investuar afër 2 milionë euro dhe fatkeqësisht që nga viti 2011 ka mbetur në këtë gjendje në të cilën është, i pashfrytëzum, dhe si pasojë e moskujdesit në raport me të është dëmtuar çdo ditë e më shumë”, tha ministri Shala, shkruan KsP.

Por, Shala ka njoftuar se që nga sot do të merret vendim që ky objekt të funksionalizohet.

“Sot do të marr vendimin që Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës ta dislokoj këtu. Banka Botërore e ka përkrahur me një fond Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të ndihmojë adoptimin e këtij objekti dhe funksionalizimin e tij për nevoja të metrologjisë. Gjithashtu e kam si ide por, do ta diskutoj edhe me udhëheqjen e Ministrisë që ta shohim edhe mundësinë e dislokimit të Agjencisë së Akreditimit dhe Standardizimit në këtë objekt, që këtë investim të qytetarëve tonë ta bëjmë të shfrytëzueshëm”, u shpreh Shala.

Se sa do të marrë kohë funskionalizimi i këtyre objekteve, Ministri tha se varet nga Banka Botërore e po ashtu edhe nga prokurimi, mirëpo u shpreh se do të mundohet që sa më shpejt një gjë e tillë të ndodh.

Kujtojmë se këto qendra janë jo funksionale që nga viti 2011.