Ish-shefi i Shtabit të Operativës së Brigadës 123 në Suharekë, Agim Kuçi, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale në Hagë. Ai do të dëshmojë në cilësinë e të dyshuarit.
Një gjë të tillë për Ballkani.info e ka konfirmuar vet Agim Kuçi, i cili ka thënë se do ti përgjigjet ftesës së Speciales, sepse sipas tij lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë dhe çlirimtare.
“ Është e vërtetë që kam marrë ftesën dje, në cilësinë e të dyshuarit, për me shku në intervistim me 21 dhe 22 mars. Jam njëri nga themeluesit e UÇK-së në Komunën e Suharekës, dhe Komandant i Njësisë Guerile të atëhershëm “Lisi” ka pohuar Kuçi.
Ai rrëfen se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte komandant i dy brigadave 122 dhe 123 pas offensives” shtoi Kuqi.
Kuçi shtoi se kishte një fletarrest prej INTERPOL-it., si njëri ndër tetë të kërkuarit nga kjo organizatë. Përveç kësaj ai zbuloi edhe detaje tjera për Ballkani.info
“ Në Holandë për katër vjet kam qenë nën hetime nga Gjykata e Hagës për Jugosllavi. Pasi kam qenë në dijeni se janë duke u zhvilluar hetime kjo më ka ndaluar për me ardhë në Kosovë , deri në vitet 2003 -2004. Pastaj, më kanë dërguar një letër, ku nuk kanë pas fakte dhe asgjë për mua dhe më kanë thënë që jam i lirë. Për një kohë të gjatë qëndrova në Holandë kërkova nënshtetësinë, pra kam nënshtetësinë Holandeze.
Ish eprori i UÇK-së, Agim Kuçi, tutje tregon raportet që ka pasur me Blerim Kuçin, i cili javë më parë është ftuar po nga kjo gjykatë.
“Me Blerim Kuçin kemi qenë në gjeneratë , në vitin 1991 në çështjen më aktive të rezistencës , UÇK-në e kemi themeluar bashkë me Blerimin si dhe me Ruzhdi Gashin”, ka treguar Kuçi.

Gjithashtu, ka treguar për takimet dhe njohjet që ka pasur me Fatmir Limajn, ish Komandant Çelikun, i cili ishte pjesë e proceseve të Gjykatës së Hagës për vite të tëra.
“Në kohën kur isha në Brigadën 122, në fillimet e luftës jemi takuar me Fatmir Limajn edhe jemi njohur edhe njihemi . Ai ishte komandant i Brigadës 121.
Por lirisht mund ta theksojë se më i afërt kam qenë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”, ka shtuar Kuçi.

Agim Kuçi thotë se nuk ka mendim të mirë për rolin e Gjykatës Speciale por pavarësisht kësaj, ai bëri të ditur se do ti përgjigjet ftesës së këtij institucioni.
“ Unë kam mendim negative për këtë gjykatë, e cila nuk ka pas nevojë me u bë. Ndoshta do të ishte më mirë të themelohej ndonjë gjykatë vendore. Por, për të gjitha pretendimet dhe akuzat e Gjykatës Speciale, ne do t’i përgjigjemi dhe do të tregojmë që lufta e UÇK-së ishte e shenjtë” shtoi ai.

Sipas Kuçit kjo gjykatë është krijuar nga pretendimet e Dik Martit që është bashkëpunëtor i Serbisë dhe Rusisë.
“ Të gjitha këto i solli Dik Marti” shtoi ai.
Sipas ish luftëtarit të UÇK-së Gjykata e Hagës , ka lënë shumë njerëz mbrapa.
“ Ne do ta vërtetojmë që lufta jonë ka qenë luftë çlirimtare , nuk e kemi okupuar askënd, nuk kemi djegur, nuk kemi vrarë”, ka thënë Kuçi.
Dhe, në fund ish eprori i UÇK-së ka thënë që të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, duhet të ndihen krenarë.
“Luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës duhet të jenë krenarë me punën që e kanë bërë”, ka përfunduar Kuçi.






