Zgjedhjet lokale

Agim Bahtiri thotë se pa asnjë dyshim është i gatshëm të vdes për Mitrovicën

Agim Bahtiri është kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të komunës së Mitrovicës i cili po kërkon mandatin e tretë të qeverisjes nga qytetarët e kësaj komune.

I ftuar në emisionin “Context” në ATV, ai ka shpalosur disa nga arsyet pse po e kërkon besimin e qytetarëve për të tretën herë me radhë duke shtuar se mitrovicasit po kërkojnë një kandidat guximtar e vizionar.

“Qytetarët kërkojnë që të ketë zot shtëpie në Mitrovicë, që të jetë njeri i pastër me dinjitet njeri i qëndrueshëm, guximtarë dhe vendimmarrës. Vendimmarrës në tavolinë për secilin që dëshiron të ulet në tavolinë, qoftë ndërkombëtarë, qoftë vendor. Vizionar për t’i çuar proceset përpara dhe për zhvillimin ekonomik që duhet të ecë në Mitrovicë.”- tha Bahtiri.

Ai madje deklaroi se është i gatshëm që të vdes për Mitrovicën.

“Qe 8 vite asnjë njeri as një zyrtarë i imi nuk është marrë nga policia. Punoj me ndërgjegje të pastër, me duar të pastra dhe me një vullnet të fuqishëm që e kam për qytetarët e Mitrovicës, a thua pse? Sepse janë shumë të vuajtur dhe të lënë anash,” – shtoi Bahtiri.

I pyetur nga analisti, Xhevdet Pozhari, se me këtë deklaratë të tijën po e krijon përshtypjen se është i gatshëm të vdes për Mitrovicë, ai dha përgjigje të prerë.

“Sigurisht që po, pa asnjë dyshim,”– u shpreh Bahtiri.