Agim Ademi takon Bastien Tomën, a po vishet ish-futbollisti i Zvicrës me fanellën dardane?

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka takuar futbollistin e spikatur Bastien Toma. Futbolli.info ka siguruar një foto nga takimi që kreu i futbollit kosovar ka pasur me mesfushorin e skuadrës portugeze, Paços de Ferreira.

23-vjeçari me pasaportë zvicerane prej kohësh ka qenë në shënjestër të Kombëtares dardane, por deri më tani i ka mbrojtur ngjyrat e Kombëtares helvetike.

A do të jetë ky takim vendimtar që Bastien Toma përfundimisht t’i thotë ‘Po’ Kosovës dhe të presë një ftesë nga përzgjedhësi Alain Giresse për ciklin kualifikues për Evropianin 2024, apo thjesht ka qenë vetëm një takim shoqëror mbetet të shihet. Tash për tash nga FFK nuk kanë dhënë ndonjë informatë për këtë takim dhe as për mundësitë që Bastien Toma të veshë fanellën dardane.

Megjithatë, presidenti i këtij institucioni në vazhdimësi është duke punuar për t’i afruar futbollistët më të talentuar shqiptar kudo që luajnë në kombëtaren e Kosovës, ngase kualifikimet për Euro 2024 shihen si mundësi e mirë që Kosova përfundimisht ta arrijë objektivin e saj që nga anëtarësimi në UEFA për t’u kualifikuar në eventin më të madh të futbollit evropian.