Agim Ademi në Stamboll merr pjesë në darkën solemne para finales së Ligës së Kampionëve

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi po qëndron në Stamboll, ku nesër mbrëma do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve ndërmjet Manchester Cityt dhe Interit.

“Nata magjike e futbollit evropian po afron. Emocioni dhe ndjesia që të jep finalja e Ligës së Kampionëve dhe trofeu i kësaj gare elitare nuk kanë krahasim. Bashkë me presidentin e FSHF-së dhe anëtarin e KE të UEFA-së, Armand Duka, po marrim pjesë në pritjen dhe darkën solemne të organizuar nga presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukeksi në prag të kësaj finaleje madhështore”, ka shkruar Ademi.

Ai tutje shkruan se Stambolli gjithmonë ka qenë qytet i emocioneve të pafundme, por kësaj radhe ka marrë ngjyrat e spektaklit dhe është shndërruar në epiqendër të futbollit botëror.

“Qyteti tashmë është pushtuar nga atmosfera e tifozëve italianë e anglezë, por jo vetëm, të cilët janë të gatshëm për spektaklin e madh të mbrëmjes së nesërme në “Atatürk Olympic Stadium””, ka shkruar në fund Ademi.