AFP shkruan për vrasjen e fëmijëve serbë në Pejë, krimin e Beogradit për fajësimin e UÇK-së

Me rastin e fillimit të gjyqit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, agjencia franceze e lajmeve ndërkombëtare AFP ka botuar një shkrim të gjatë për krimin monstruoz ndaj fëmijëve serbë në Pejë, në dhjetor 1998, i kryer nga Beogradi zyrtar për të fajësuar UÇK-në.

Gjashtë serbë të Kosovës, në mesin e të cilëve katër fëmijë janë vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, nga pjesëtarë të njësisë speciale të shërbimit sekret serb, të maskuar si pjesëtarë të UÇK-së.

“Të shtënat fillimisht iu veshën kryengritësve shqiptarë, por në vitet që pasuan, njerëz të ndryshëm, përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiq, e kanë vënë në dyshim këtë përfundim”, raporton AFP.

“Kryengritësit e UÇK-së nuk ishin përgjegjës për vrasjet”, citohet të ketë thënë Vuçiq në një intervistë në vitin 2013.

Agjencia franceze ka biseduar për këtë rast me familjarë të viktimave dhe me shqiptarë, përfshirë Vllaznim Pergjegjajn, që u akuzuan dhe u mbajtën padrejtësisht në burg nga regjimi serb.

“Unë mund të çlirohem vetëm kur të vërtetohet e vërteta”, ka thënë Aleksandra Sibinoviq, 46 vjeçare, për AFP në Beograd, vëllai i të cilës është vrarë.

Fjalët e Vuçiqit ishin një goditje tronditëse për Sibinoviq, e cila prej kohësh kishte fajësuar shqiptarët e armatosur për vrasjen e vëllait të saj.

“Dhimbja fizike që ndjeva ishte e barabartë me atë që ndjeva kur më thanë se ai vdiq. Më pas, ndjeva një fije shprese se më në fund do të zbulojmë se çfarë ndodhi”, i tha ajo AFP-së.

Një hetim zyrtar ka nisur në vitin 2016 në Beograd, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Regjimi serb shfrytëzoi krimin e kryer asokohe për të justifikuar sulmet kundër popullatës shqiptare.

Ngjarjet që ndodhën më pas ishin shkatërruese. Qeveria serbe nisi një sulm të gjithanshëm ndaj Kosovës, duke çuar në mijëra vdekje, një krizë refugjatësh dhe spastrim etnik, shkruan AFP.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballen me disa akuza në Gjykatën Speciale në Hagë, ka raportuar në këtë shkrim agjencia franceze e lajmeve.