Gazetarë

​AFP bën thirrje për hetim të plotë pas vrasjes dhe plagosjes së gazetarëve në Libanin jugor

Agjencia franceze e lajmeve AFP u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite dhe libaneze që të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës “për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësinë” e të shtënave ndaj gazetarëve përgjatë kufirit të tyre që vrau dhe plagosi gazetarë në Libanin jugor.

Një reporter i Reuters u vra dhe gjashtë gazetarë të tjerë u plagosën, duke përfshirë dy nga AFP, pranë fshatit Alma al-Shaab të premten.

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se ata po “hetojnë” incidentin, pa marrë përgjegjësi.

“Është thelbësore që të bëhet çdo përpjekje për të konstatuar se si një grup gazetarësh, të identifikuar qartë dhe të akredituar siç duhet, mund të shënjestrohen në këtë mënyrë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të mos kënaqen vetëm me ‘kontroll’, por të kryejnë një hetim të thelluar dhe të japin përgjigje të mirë-dokumentuara, të qarta dhe transparente”, tha Fabrice Fries, kryetar dhe CEO i AFP.

Gazetarët besojnë se të shtënat kanë ardhur nga ana izraelite e kufirit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira në tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të garantuar sigurinë e tyre”, tha Phil Chetwynd, Drejtori Global i Lajmeve në AFP.

Mes dy gazetarëve të plagosur të AFP-së, fotografja Christina Assi pësoi lëndime të rënda, veçanërisht në këmbë. Ajo aktualisht ndodhet në kujdesin intensiv në një spital në Bejrut pas nëntë orësh operacion. Gazetari Dylan Collins, i cili më parë ishte plagosur në Ukrainë korrikun e kaluar, pësoi lëndime më të lehta dhe së shpejti mund të lirohet nga spitali. /KP