Grupi i parë

Afganët strehohen në Ferizaj – Për sigurinë e tyre janë angazhuar trupat e NATO-s në Kosovë

Grupi i parë i afganëve të ardhur në Kosovë mbrëmjen e 29 gushtit është vendosur në ish kampin e Bechtel Enkas, në afërsi të bazës ushtarake amerikane, Boondsteel, në Ferizaj.

Për sigurinë e tyre aktualisht janë duke u përkujdesur trupat ushtarak të NATO-së. Përveç sigurisë, atyre u është ofruar edhe privatësi nga mediat, të cilat nuk janë lejuar të xhirojnë apo zhvillojnë intervista me ta.

Krejt kjo sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme është bërë për shkaqe të sigurisë, pasi të njëjtit u tha se janë punëtorë ose kontraktorë të NATO-së. Ata janë parë teksa lëvizin pak brenda kampit, derisa nuk u panë të dalin fare jashtë.

Grupi i parë prej 111 persona përbëhet kryesisht nga gra, fëmijë dhe të moshuar. Top Channel ka provuar të flas me përfaqësues të ministrisë edhe për kushtet brenda kampit dhe kapacitetet që posedon, por kanë refuzuar të flasin.

Gjatë pranimit të grupit të parë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla pati bërë të ditur se grupi i dytë i refugjatëve afgan do të arrijnë në Kosovë të hënën, por nuk ka dhënë detaje mbi numrin.