Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës vazhdon të mbetet i mbyllur

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”, vazhdon të mbetet i mbyllur për fluturime. Sipas një njoftimi nga Autoriteti i Aviacionit Civil thuhet se janë duke i pritur vlerësimet e institucioneve përkatëse, përfshirë IKSHPK-në, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Ky është njoftimi i plotë:

Njoftohen të gjithë operatorët ajrorë, udhëtarët dhe palët tjera të interesuara se Autoriteti i Aviacionit Civil, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore, duke u siguruar se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen.

Pritet vlerësimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me situatën aktuale shëndetësore me COVID-19 dhe në momentin e një rekomandimi pozitiv nga ky Institut, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i propozojnë për vendimmarrje Qeverisë hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime të rregullta.