Aeroporti ka njoftuar për fluturimet që janë planifikuar, nesër kthehen 55 qytetarë nga Zvicra

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar për fluturimet që janë planifikuar nesër. Sipas Aerportit, nesër në ora 09:00, pritet të kthehen në Kosovë 55 qytetarë nga Zvicra, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Aeroporti bën me dije se nesër është planifikuar një fluturim në arritje me udhëtarë Zurich-Prishtinë dhe dy fluturime në nisje me udhëtarë: Prishtinë-Zurich dhe Prishtinë-Dusseldorf.

“Fluturimi nga Zvicra për në Prishtinë është planifikuar të jetë me udhëtarë në arritje sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës!”, njofton aeroporti.

Ndryshe, 55 qytetarë të Kosovës do të kthehen nesër nga Zvicra. Menjëherë pas kthimit, ata do të vendosen në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Shefi i Kabinetit të Ministrit Abdixhiku, Alban Zogaj.

“Po, do të ketë fluturim nesër nga Zvicrra. Do të kthehen 55 qytetarë të Kosovës, të cilët do të vendosen direkt në Qendrën e Karantines”, ka thënë Zogaj