Adriatik Kelmendi e godet rëndë Albin Kurtin për NATO-n: Axhamillëk i llojit të vet

Publicisti dhe gazetari i njohur, Adriatik Kelmendi, e ka quajtur axhamillëk qëndrimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me marrëveshjen e NATO-s me Kosovën për FSK-në.

Postimi i plotë:

Ky episodi i sotëm me FSK-në dhe NATO-n është axhamillëk i llojit të vet!

Kryeministri Kurti duhet ta pyesë veten se çka përfiton Kosova nga problematizimi i një marrëdhënieje speciale ndërmjet të NATO-s dhe Ushtrisë sonë?! Përgjigja është: Asgjë, por të humbë mundet shumë.

NATO-ja ndodhet në Kosovë me mandat të Rezolutës 1244 te KS të OKB-së. Mezi është gjetur interpretim ligjor që edhe pavarësia të shpallet nëpërmjet të 1244-shit. Edhe ligjet e transformimit të FSK-së janë kundërshtuar nga NATO-ja, për shkak të 1244-shit, por nuk është bërë e madhe për shkak të mbështetjes së njëanëshme që e dha Amerika.

Duke çprushur vetë liderët e Kosovës në këto çështje delikate, vetëm sa nxisin naivisht kthimin në diskutim të zbatimit të 1244-shit nga shtetet që nuk ia duan të mirën Kosovës e mezi s’presin. E pse? Për inate që kanë me njëri-tjetrin!

Edhe nëse ka pasur dyshime se a ka qenë sekret ose jo letërkëmbimi i Thaçit dhe Rasmussenit, Kurti do të kishte mundur të priste së paku deri në një takim të tyre si Kryeministër e President për ta qartësuar.

Inshalla nuk bëhet edhe më e madhe kjo çështje se sa shkarje miope e kryeministrit të ri, se pasojat mund të jenë jo të mira për vendin!

Aman koncentrohuni në punë e tejkaloni inatet.