Adnan Januzaj flet si futbollist i Sevillas, ka synime të mëdha me klubin andaluzian

Vera e Adnan Januzajt ka qenë e gjatë. Shumë e gjatë. Që prej përfundimit të kontratës te Real Sociedadi, më 30 qershor, ai nuk ka reshtur së kërkuari derisa ka gjetur mundësinë më të mirë të mundshme.

Dhe durimi iu shpërblye me një kontratë shumë të mirë katërvjeçare te Sevilla, një nga klubet më të mëdha në Spanjë që lufton çdo edicion për katër vendet e para në tabelë dhe që përgjithësisht shkon shumë larg në garat evropiane.

“Kishte orë stresi, por jam i lumtur që jam në Sevilla”, tha Januzaj të enjten në një intervistë në faqen e klubit të tij të ri. “Unë stërvita fort vetë, në fushë dhe në palestër, çdo ditë, për të mbajtur një nivel të mirë. Është e vërtetë që nuk është njësoj si të stërvitesh me shokët e skuadrës, por duhet të jesh i përgatitur sepse një ekip mund të thërrasë në çdo moment dhe duhet të jesh gati. Isha shumë i qetë sepse e dija se do të vinin oferta”.

Januzaj e di shumë mirë se si është të luash para tifozëve te Sevillas në një stadium të stërmbushur, pasi e ka përjetuar një gjë të tillë me fanellën e Sociedadit. Durimi dhe qetësia kanë qenë gjithmonë nga pikat e tij të forta në fushë.

“Në moshën 17-vjeçare luaja para 80 mijë njerëzve dhe isha shumë i qetë. Kur ke këtë vetëbesim për të qenë në gjendje të bësh gjërat, duhet të mendosh se gjithçka do të jetë mirë”, insiston Januzaj. “Unë jam profesionist për një kohë të gjatë dhe pjekuria ndryshon shumë në futboll. Unë jam më i pjekur se kur isha 18 ose 19 vjeç”.

Pesë edicionet e tij në qytetin bask, me Real Sociedadin, ishin më të suksesshmit në karrierë (23 gola dhe 21 asistime). Por më e mira mund të jetë ende duke ardhur.

“Kam filluar shumë i ri dhe ndonjëherë njerëzit mendojnë se jam mbi 30 vjeç, por unë jam vetëm 27”, thekson ai. “Unë jam në momentet më të mira të jetës. Mendoj se kulmi i një karriere është në moshën 33-vjeçare, kështu që duhet të vazhdoj të punoj dhe të argëtohem”.

I stërvitur te Brusseli dhe më pas në Anderlecht, djaloshi nga Brukseli shpreson të korrë frytet e një procesi të gjatë.

“Njerëzit mendojnë se është e lehtë të jesh futbollist, por është e vështirë, sepse ka shumë sakrifica për t’u bërë. Unë shkova në Angli në Manchester United kur isha 15 vjeç, në një vend që nuk e njihja dhe duhej të përshtatesha. Në Gjermani dhe Spanjë e njëjta gjë. Është e vështirë, por duhet të jesh i hapur për gjithçka”, shtoi Januzaj.

Te Sevilla, ai është në kolektivin e trajnerit Julen Lopetegui, përkrah lojtarëve si Isco, Alex Telles, Jesus Navas, Rafa Mir, Ivan Rakitiq apo Papu Gomez.

Januzaj insiston se është lojtar që i përshtatet lojës së Sevillas dhe që duhet ta ketë vazhdimisht topin në këmbë.

“Sevilla është ekip që bën shumë presion dhe gjithmonë dëshiron të sulmojë. Për një lojtar si unë është e rëndësishme të ketë topin në zonë dhe të jetë në gjendje të përfitojë prej tij. Unë jam një lojtar që duhet ta ketë topin, loja ime është kreative. Tifozët kur hyjnë në stadium dhe paguajnë një biletë për të parë një shfaqje, e vlerësojnë këtë. Kur isha i vogël, lojtarët e mi të preferuar ishin Zidane, Riquelme ose Ronaldinho”.

Tani i takon Januzajt që të përpiqet të shfaqë magji futbolli. Ai do të mund të vazhdojë ta bëjë këtë në La Liga, por edhe në Ligën e Kampionëve, një garë të cilin e ka përjetuar rrallë (2 ndeshje me Manchester Unitedin gjatë edicionit 2013/2014).

“Jam shumë i lumtur që po rikthehem në këtë garë, sepse kam luajtur katër vjet radhazi Ligën e Evropës dhe është ndryshe”, gëzohet Januzaj që me Sevillan në Grupin G do të përballet me Manchester Cityn, Copenhagenin dhe Borussia Dortmundin. “Jam shumë i emocionuar, sepse do të jem në gjendje të luaj kundër ekipit tim të vjetër, Dortmundit. Liga e Kampionëve është vendi ku të gjitha skuadrat duan të jenë. Nuk ka ndeshje të lehta, sepse je në një nivel të lartë dhe një ekip si Sevilla mund të bëjë gjëra të mëdha”.

Objektivi tjetër është që me paraqitje të mira dhe gola të bjerë në sy të përzgjedhësit të Belgjikës, Roberto Martinez.

“Unë dua të kënaqem këtu së pari, t’u tregoj njerëzve se çfarë mund të bëj dhe pjesa tjetër do të vijë. Sa i përket Botërorit, nuk dua t’i bëj presion vetes. Duhet të kënaqem dhe pastaj të shohim si do të shkojnë gjërat. Jam i gatshëm për të shtunën, ndonëse mund të mos jem në gjendje të luaj tërë ndeshjen, por dua ta ndihmoj Sevillan”, shtoi Januzaj.

Aventura e Adnan Januzajt në La Liga mund të nisë fuqishëm të shtunën kur Sevillan e viziton Barcelona. Katër ditë më vonë Sevilla do të luajë me Manchester Cityn në Champions.