Në prag të ndeshjes miqësore ndërmjet Çekisë dhe Kosovës, presidenti i Federatës Çeke të Futbollit, David Trunda, ka shtruar drekë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i FFK-së, Agim Ademi përmes një postimi në Facebook.
Ademi bëri të ditur se gjatë këtij takimi e ka përgëzuar presidentin Trunda për suksesin e Kombëtares së Çekisë dhe kualifikimin në Kupën e Botës 2026, duke i uruar paraqitje sa më dinjitoze në këtë garë madhore.
Nga ana tjetër, sipas Ademit, presidenti i Federatës Çeke ka vlerësuar progresin e futbollit të Kosovës dhe cilësinë e Kombëtares sonë, duke shprehur respekt për punën që po bëhet në zhvillimin e futbollit në vend.
“Takimet e tilla forcojnë bashkëpunimin mes federatave tona dhe pa dyshim e pasurojnë frymën e respektit brenda familjes evropiane të futbollit”, ka shkruar Ademi në postimin e tij.
Kosova dhe Çekia do të përballen në kuadër të ndeshjes miqësore, e cila shërben si test i rëndësishëm për të dyja kombëtaret në prag të sfidave të ardhshme.







