Ademi: Nëse zhvillohet ndeshja Crvena Zvezda – Trepça, thyhet statuti i UEFA-s

Shorti i 1/8 të finales në kupën e Serbisë vuri përballë Crvena Zvezdan dhe Trepçën, ndeshje kjo mjaft e përfolur, e që është planifikuar të luhet në Zveçan.

Federata e Futbollit e Kosovës me një reagim të tyre ka kërkuar nga institucionet përkatëse ndalimin e kësaj ndeshje dhe të mirren masat e nevojshme në mënyrë që të mos thyhet integriteti i FFK-së.

Indeksonline ka kontaktuar me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, i cili tha se kjo ndeshje duhet të ndalohet urgjentisht, dhe nëse ndeshja zhvillohet, thyhet edhe statuti i UEFAS.

“Shpresoj që kjo ndeshje do të ndalohet të luhet sepse nuk është e drejtë me asnjë normë e rregulloere as të Uefa-s as Fifa-s. Nëse ndonjëherë është bërë ndonjë ndeshje miqësore është bërë me leje, por shpresoj që do t’i ipet fund këtij provokimi, të paktën në futboll, është e papranueshme” – u shpreh Ademi për Indeksonline.

I pyetur se a është bërë me qëllim nga ana e Federatës së Serbisë, Agim Ademi tha se edhe Federata e futbollit të Serbisë janë në dijeni se kjo është shkelje e rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s.

“Nuk kisha thënë që po bëhet me qëllim por me faktin që po organizohet një ndeshje e tillë ata e dinë që nuk është e lejueshme as me UEFA as me FIFA. Dihet qe ne jemi dy federata të njëjta me të gjitha të drejtat e pranuara në instancat më të larta të futbollit në botë. Shpresoj qe ata do të marrin hap tjetër, për të mos krijuar telashe – theksoi i pari i Federatës së futbollit të Kosovës.

“Bazuar në rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s nuk lejohet që një ndonjë shtet tjetër të organizojë ndeshje në një shtet tjetër, ku ka një federatë që është e pranuar dhe është e vetmja bartëse e organizimeve zyrtare në atë shtet – përfundoi Agim Ademi.

loading…