Adem Hoxha pritet të votojë sot, Kusari-Lila: Besoj që i kemi 80 vota

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo duket se i kanë bërë 80 votat e nevojshme për ta proceduar suksesshëm zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë për Express se deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, do të marrë pjesë në seancën e sotme ku do të tentohet që Vjosa Osmani të zgjidhet presidente.

“Besoj qe i kemi votat. Po besoj që po. [Pjesëmarrjen e Adem Hoxhës] E kanë konfmirmuar nga partia e tij dhe po besoj që me të bëhen 80 vota”, ka thënë Kusari-Lila.

Dje, për një votë më pak në kuti, LVV-ja dhe Lista Guxo nuk arritën ta bëjnë presidente Vjosa Osmanin. Procesi për zgjedhjen e saj dështoi që në tentimin e parë, i cili u përsërit, por pa sukses. Në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së, ish partisë së Vjosa Osmanit. Por problemi nuk qe te mosvotimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanaj, pasi pozitës i munguan dy deputetë të komuniteteve jo-serbe që pritej të ishin aty. Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk morën pjesë në seancë, ndonëse kishte marrëveshje për këtë.

Për t’i bërë 80 vota në kuti, ministrja e Drejtësisë nga LVV, Albulena Haxhiu, e ftoi deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, që të vinte dhe të votonte, ashtu siç ky i fundit paraprakisht tha se do ta bënte, por që s’ishte në Prishtinë.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vijuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota në kuti, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë. Seanca është paraparë të mbahet në orën 17:00.