Abrashi thotë se rruga Prishtinë-Mitrovicë u zvarrit shumë, premton punime intensive

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, me bashkëpunëtorë, si dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë vizituar sot punimet të cilat janë duke vazhduar në zgjerimin e rrugës nacionale M2 Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht seg-mentin Gojbulë-Smrekonicë.

Me këtë rast, ministri Abrashi potencoi se hapja e rrugëve krijon vende të reja të punës dhe forcon zhvillimin ekonomik.

“Një lajm i mirë për segmentin tjetër edhe për të gjithë banorët e kësaj zone është se pjesa kontraktuale ose obligimet e shtetit të Kosovës karshi pronarëve të tokave nga Lumi i Madh deri në Gojbulë tashmë u janë shpërndarë pronarëve, presim fillimin e punëve në kohë rekorde edhe për atë pjesë dhe pak a shumë përfundon një segment shumë i madh i kësaj rruge nacionale. Ne do të fillojmë procedurat edhe për segmentin e mbetur Smrekonicë-Mitrovicë poashtu në kohë rekorde, në mënyrë që të përfundojmë këtë projekt i cili fatkeqësisht pak është zvarritur me shumë vite”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, obligimet ndaj pronarëve të tokave nga Lumi i Madh deri në Gojbulë u janë shpërndarë pronarëve dhe priten punime në kohë rekorde.

Ai paralajmëroi nisjen e procedurave edhe për segmentin e mbetur Smrekonicë-Mitrovicë, për të cilat tha se do të kryhen poashtu në kohë rekorde.

Ndryshe, këto punime po realizohen me anë të huamarrjes nga fondi saudit për zhvillim, e që ky segment prej 4.5 kilometrash kushton rreth 14 milionë euro, ndërsa punimet parashihet të përfundojnë deri në shtator të këtij viti.