Abrashi kthen ligjshmërinë në MI, sekretari i ri shkarkon ‘babën e tenderëve’ të dënuar për korrupsion

Sekretari i ri Ministrisë së Infrastrukturës, Zymer Abdullahu ka shfuqizuar vendimin në të cilin Nexhat Krasniqi është kthyer në pozitën Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit, në kuadër të DFSHP.

Atë që nuk kishte mundur ta bëjë tashmë ish sekretari, Izedin Bytyqi, e bëri sot me të marrë pozitën e sekretarit, Zymer Abdullahu

Sipas vendimit të siguruar nga portali Ballkani.info., shfuqizohet vendimi i datës 22.12.2020 për kthimin në punë të Nexhat Krasniqit, i njohur ndryshe si “baba i tenderëve”.

Krasniqi i cili ishte sistemuar në pozitën e Udhëheqësit të prokurimit, sipas vendimit të Abdullahut, i është ndërprerë marrëdhënia e punës në shërbimin civil në Ministrinë e Infrastrukturës për shkak të detyrimit ligjor të zbatimit të Vendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës më datë 18/11/2019.

Kujtojmë që në vitin 2019, Nexhat Krasniqi ishte dënuar burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Atij i është shqiptuar dënim unik prej 26 muajsh burgim për korrupsion.

Nexhat Krasniqi, njëri nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ngarkohej edhe për marrje ryshfeti dhe hyrje në nënshkrimin e kontratave të dëmshme.

Kurse, më 4 dhjetor 2020, ashtu siç kishte raportuar Ballkani.info Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil pas ankesës së Nexhat Krasniqit, e kishte rikthyer në punë atë.

Në anën tjetër, Gjykata Supreme kishte thënë se Nexhat Krasniqi nuk mund të kthehet në punë.

Ballkani.info kishte kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në unë të Krasniqit.

Në përgjigjet dërguar në adresë të portalit tonë, Gjykata Supreme bënte të ditur se kjo Gjykatë nuk është në në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të N.K., pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës N.K.

“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK,  nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës  nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës.  Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Në pyetjen se a mundet KPMSHC-ja të merr vendim për kthimin në punë të personit të cilit me aktvendim të Gjykatës Supreme i është konfirmuar shkelja dhe është vërtetuar vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, në situatën e përshkruar në përgjigje të pyetjes së parë, Gjykata Supreme në përgjigjet dërguar sot Ballkani.info thotë kështu: “Nuk ka mundësi që KPMSHC në Kosovë të merr vendim tjetër për kthim të N.K. në punë”. /Ballkani.info/