Abrashi i LDK-së thotë se nga ShBA-ja ka edhe sanksione që ndërlidhen me ministrat e Qeverisë Kurti

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi, ka reaguar për tërheqjen e Contour  Global nga investimi në Termocentralin “Kosova e Re”.

Ai ka thënë se veprimi i kompanisë amerikane është në linjë me atë që kanë deklaruar zyrtarët e lartë amerikanë.

Abrashi në emision Imazh të RTK-së, ka thënë se tërheqja e Contour Global rrezikon mjera vende pune

Ai ka thënë se edhe LDK-ja ka pasur vërejtjet e veta. “Por që të gëzohemi që një investitor i fuqishëm amerikan po largohet nga Kosova kjo është e pakuptimtë. Realisht vetëm dikush që e ka në thelb antiamerikanizmin mund t’i gëzohet këtij fakti”, ka thënë Abrashi.

Më tutje, ai ka thënë se për shkak të mosheqjes se taksës janë ftohur raportet në mes të Kosovës dhe ShBA-së.

“Kërkojmë nga Qeveria Kurti të reflektojë dhe ta heq tarifën në mënyrë që mos t’i rrezikojmë marrëdhëniet të cilat veçse kanë filluar të rrezikohen me Uashingtonin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se përpos pezullimit të investimeve nga MCC-ja, ka edhe sanksione të tjera.

“Ka edhe sanksione të tjera për të cilat nuk po na tregon qeveria jonë. Ka edhe sanksione që ndërlidhen edhe me vet ministrat e qeverisë, por besoj se koha do t’i shpalos edhe ato. E jona është që të kërkojmë sa më shpejt të qeveria të reagojë karshi tarifës”, ka thënë Abrashi.