Deputeti i PDK-së

Abelard Tahiri: S’ka kthim me AAK-në e Nismën, kurrë koalicion me VV-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, është shprehur i bindur se partia në të cilën bën pjesë do të jetë e para në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ka përjashtuar çdo mundësi koalicioni me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (VV), për të cilën ka thënë se do të jetë në opozitë.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, i pyetur për sondazhet për të cilat pushteti thotë se e ka vendosur me 50 për qind të mbështetjes së qytetarëve, Tahiri ka thënë se e njëjta kompani në zgjedhjet lokale e vendosi PDK-në me veç dy komuna të fituara.

“Në sondazhe për zgjedhjet lokale, kompania e njëjtë ka thënë se PDK-ja do t’i fitojë veç dy komuna, por i kemi fituar pesë vetëm në rundin e parë. Sot PDK-ja është jashtëzakonisht e organizuar, ofron kuadra për ekonomi, shëndetësi, arsim. Jemi larg më mirë në terren, sidomos në raport me partinë në pushtet. Mandatari që do të dalë nga PDK-ja do të jetë ai që do ta formojë Qeverinë në zgjedhjet e ardhshme, pa LVV-në. Po e them me bindje të plotë, në asnjë rrethanë PDK-ja nuk do të krijojë qeverisje me LVV-në. Jemi mëse të bindur se LVV-ja do të jetë në opozitë”, ka thënë ai.

Sipas Tahiri, qeverisja nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti ka degraduar në çdo sektor.

“Sikur të kishte qenë qeverisja stabile, e mirëfilltë dhe do t’i trajtonte mirë qytetarët – vetëm fakti që jemi të sanksionuar dhe këto sanksione i ka sjell kjo Qeveri – mjafton. Ky kryeministër nuk është i aftë për ta nxjerrë vendin nga këto sanksione. Qeverisja ka degraduar në secilin sektor, në shëndetësi, arsim. Ia shtojmë faktin që edhe të rinjtë po ikin, prandaj gjitha këto probleme nuk duhet të qëndrojmë duarkryq dhe t’ia lehtësojmë qeverisjen Kurtit”, ka shtuar shefi i GP të PDK-së.

Për t’ia vështirësuar qeverisjen, Tahiri thotë se nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Por duke ditur se ato marrëveshje po votohen nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bojkoti i PDK-së nuk ka shumë efekt. Megjithatë, Tahiri ka thënë se do të vazhdojnë të mos i votojnë në shenjë proteste.

“Si GP i PDK-së nuk po i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare që t’ia vështirësojmë qeverisjen dhe ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Nëse do të kishim qenë bashkë si opozitë, do t’ia kishim vështirësuar më shumë. 300 milionë euro nuk i kemi shfrytëzuar për shkak të sanksioneve. Nëse vazhdojmë t’i votojmë këto marrëveshje, ato s’do të kenë kurrfarë efekti për shkak të sanksioneve. Deri tani, s’kemi ndryshuar vendim. Nëse do të ulemi të caktojmë ditën e zgjedhjeve, atëherë në të njëjtën ditë do t’i votojmë. Ne vetë s’mund t’i bllokojmë, por në shenjë proteste për ta dërguar vendin në zgjedhje dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza, do të vazhdojmë të mos i votojmë”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se me partitë parlamentare opozitare kanë pikëpamje të ndryshme vetëm sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare.

Tahiri ka kritikuar Qeverinë edhe për mënyrën e dorëheqjes së kryetarëve në komunat veriore, duke theksuar se “Qeveria ka dështuar ta menaxhojë siç duhet këtë proces duke sjellë edhe sanksionet e BE-së”.

Ai tutje ka thënë se nuk e kupton kryeministrin Albin Kurti se si nuk po merr masa ndaj ministres së Arsimit, Arbërive Nagavci.

“Është qeverisje shumë e çoroditur. Asnjë nismë ligjore nuk i kalon Ministrisë së Arsimit në Kuvend. Edhe vetë deputetët e mazhorancës nuk janë të kënaqur me Ministrinë e Arsimit. Nëse do ta kishim një kryeministër të përgjegjshëm, kur arsimi i mbahet peng nga deputetët e tij, duhej të merrte masa”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se gjatë sesionit pranveror në Kuvend do të këmbëngulin që të votohet rezoluta për uljen e çmimit të energjisë, ndërsa vlerësimi i tatimit në pronë të kthehet sikur në vitin 2022.

Pas koalicionit të AAK-së dhe Nismës, shefi i GP të PDK-së ka mohuar në mënyrë kategorike kthimin e PAN-it.