Abelard Tahiri

Abelard Tahiri do të udhëheqë Komisionin për Reformën Zgjedhore në Kosovë

Kuvendi i Kosovës, gjatë seancës së djeshme, me gjithsej 71 vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar përbërjen e Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Republikën e Kosovës, të cilin do ta drejtojë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ky Komision do të ketë për mandat inicimin e reformës zgjedhore, si një prej çështjeve më të rëndësishme që synon konsolidimin e mëtejmë të demokracisë elektorale në Kosovë.

Reforma zgjedhore ka qenë një ndër temat kryesore rreth të cilave që një kohë të gjatë është punuar për të pasur një konsensus politik nga ana e të gjitha subjekteve politike. Kosova ka pasur ndryshime në sistemin zgjedhor që nga viti 2007 me prezantimin e listave të hapura, ndërsa që nga viti 2011 përkundër përpjekjeve për të reformuar shumë nga aspektet që ndërlidhen me procesin zgjedhor, në mungesë të vullnetit politik kjo nuk ka qenë e mundur të realizohet.

Një proces i tillë është vlerësuar si jashtëzakonisht i nevojshëm nga ana e shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian.

Kjo është përbërja e plotë e Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë:

Abelard Tahiri – Kryetar, PDK;

Adnan Rrustemi – Zëvendëskryetar, LVV

Enis Kervan – Zëvendëskryetar, Grupi Multientik;

Avdullah Hoti, LDK

Mimoza Kusari, LVV,

Dimal Basha, LVV

Arbreshë Kryeziu-Hyseni, LVV

Elmi Reçica, PDK,

Hykmete Bajrami, LDK

Besnik Tahiri, AAK.