Abdullahu: Kosova ka mbulueshmërinë më të madhe në rajon sa i përket ujësjellësit

Ballkani.info ka zhvilluar intervistë me Kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu.

Abdullahu ka folur rreth zhvillimeve të fundit në këtë kompani, cilat investime planifikohet të ndodhin në të ardhmen e afërt dhe cila është gjendja e Fabrikës në Shkabaj.

Intervista e plotë në vazhdim:

Ballkani.info: Sa lagje apo ndërtime të reja do të kyçen në rrjetin e Ujësjellësit ‘Prishtina’ këtë vit?

Ilir Abdullahu: Të them të drejtën kërkesa për kyçje në rrjetin e ujësjellësit ka çdo muaj, ndërsa ndërmarrja jonë pasi që të shohë nëse kompania në fjalë që ka bërë kërkesë i ka përmbushur të gjitha procedurat paraprake, pra është pajisur me leje ndërtimi, jemi të detyruar që t’i furnizojmë me ujë.

Kërkesa jonë ndaj këtyre kompanive, ka qenë që gjithmonë ndërtimet të parashikohen në vendet ku ka infrastrukturë edhe për kyçjen me ujë të pijshëm, në mënyrë që të evitohen problemet.

Ballkani.info: Sipas të dhënave deri më tani, ndërtimet që kanë pasur më së shumti probleme me furnizim me ujë të pijshëm, kanë qenë ndërtimet e reja në lagjen Mati 1, gjë që është bërë edhe temë e mediave në kohën kur vendi është përballur me reshje të shiut dhe borës. Sa keni hasur në probleme rreth furnizimit në këtë pjesë të Prishtinës?

Ilir Abdullahu: Rrjetet e furnizimit me ujë të pijshëm në këtë pjesë të Prishtinës janë të përbashkëta, andaj në kohën kur ka pasur të reshura ka pasur problem me rrjedhje normale të ujit, gjë që ka shkaktuar edhe përmbytjet e bodrumeve të këtyre objekteve, sidomos tek ato në pjesën e Rrugës B.

Ballkani.info: A ka ndonjë plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi në këtë lagje?

Ilir Abdullahu: Ne po shpresojmë që shumë shpejtë të fillohet me masterplan për rehabilitim të rrjetave të kanalizimit sidomos në lagjet ku janë hasur këto probleme. Ne jemi vazhdimisht në kontakt dhe bashkëpunojmë ngushtë me donatorët të cilët sigurisht se duhet t’i falenderojmë për përkujdesjen ndaj projekteve që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, kështu që mund të themi se edhe në këtë drejtim do të fillohet së shpejti të punohet, ndërsa brenda disa muajve do t’ju ofrojmë detaje të reja. Si fillim i mirë në këtë drejtim janë ndërtimi i implianteve që do të trajtojnë ujërat e zeza.

Ballkani.info: Si është duke ecur puna në fabrikën e ujit në Shkabaj?

Ilir Abdullahu: Fabrika e ujit në Shkabaj ka qenë një investim shumë i mirë dhe puna po ec rrjedhimisht mirë. Kjo fabrikë ka qenë një ndihmesë për furnizimin me ujë 24 orë. Lajmi i mirë në këtë drejtim është për pjesën e Fushë Kosovës, pasi që janë duke u bërë punime në magjistrale nga rezervuari i Shkabajt dhe një pjesë e punimeve veçse kanë përfunduar. Mund të them se në përfundim të këtij muaji, më së largti në javën e parë të majit, pjesa e Fushë Kosovës që nuk ka pasur furnizim me ujë rregullisht, tashmë do të furnizohet me ujë të pijshëm 24/7.

Ballkani.info: A ka ndikuar keqpërdorimi i ujit të pijshëm për nevoja të tjera në uljen e nivelit të ujit në Liqenin e Batllavës dhe Badovcit?

Ilir Abdullahu: Çdo keqpërdorim i ujit të pijshëm dhe abuzimi me të, po ndikon në rënien e nivelit të ujit në Liqenin e Badovcit dhe Batllavës. Duhet të jemi të vetëdijshëm për menaxhimin e ujit dhe ruajtjen e tij, në të kundërt do të ndërmirren masa ndaj abuzuesve me ujin e pijshëm. Është shqetësuese fakti që nga periudha e pasluftës, njerëzit ende vazhdojnë që ujin e pijshëm ta përdorin për nevoja personale si ujitja, pastrimi, të cilat ndikojnë shumë, ndërsa pasojat pastaj i bartë Ujësjellësi. Ne do të monitorojmë vazhdimisht situatën në bashkëpunim me institucionet e tjera. Duhet të marrim parasysh se Kosova ka mungesë të resurseve të ujit, andaj edhe duhet ta kursejmë dhe mos të abuzojmë me të.

Ballkani.info: Sa ka rënë niveli i ujit në këto liqene këtë vit?

Ilir Abdullahu: Niveli i ujit të Liqenit të Badovcit dhe Batllavës ka pasur rënie por jo në masa shqetësuese dhe po theksoj se në muajin mars të vitit të kaluar, niveli i ujit në këto liqene ka qenë pothuajse i njejtë. Aktualisht nuk kemi pasur problem me furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Ne përcjellim vazhdimisht situatën meteorologjike dhe shpresojmë në ngritjen e akumulimit të ujit që në muajt e verës nga Qershori e deri në Gusht, të mos kemi probleme me furnizim me ujë 24 orë. Tani po bëhen disa vite që regjionet po kanë furnizim me ujë 24 orë dhe me rëndësi është që në shumicën prej këtyre vendeve, ky ujë është i pijshëm dhe kualitativ.

Ne jemi monitoruesit kryesor të kualitetit të ujit në vendin tonë dhe deri më tani, përmes laboratoreve tona dhe testimeve që kemi bërë mund të them se qytetarët janë duke u furnizuar me ujë kualitativ të pijshëm dhe kjo është një arritje e kënaqshme për ne.

Ballkani.info: Sa janë borxhet e qytetarëve ndaj Ujësjellësit dhe a ka raste që i janë përcjellur Gjykatës?

Ilir Abdullahu: Që nga paslufta, borxhet e qytetarëve ndaj Ujësjellësit janë mbi 40 milionë euro përderisa një pjesë e qytetarëve kanë përfituar në kohën kur një pjesë e borxheve janë falur. Në anën tjetër, për të gjithë konsumatorët që kanë refuzuar të paguajnë borxhet e tyre të mbetura, kompania bashkëpunon edhe me përmbaruesit. Ne nuk dëshirojmë të ndërmarrim hapa të shkëputjes së furnizimit me ujë për qytetarë, pra kjo është mundësia e fundit, por edhe konsumatorët duhet të jenë të vetëdijshëm se edhe ne kemi obligime financiare si përshembull kthimi i kredive, ku paguajmë rreth 3 milionë euro në vit.

Ne nuk besojmë se çmimet e pagesës janë të larta, këtë mund ta vërtetoni duke parë faturën e një familje të thjeshtë, që besojmë se mund të përballojnë pagesat për ujin, por në shumë raste konsumatorët i lënë këto borxhe që të grumbullohen dhe pastaj vijnë procedurat e tjera.

Ballkani.info: Cilat janë investimet që janë nisur ose janë planifikuar të ndodhin këtë vit ose në të ardhmen e afërt?

Ilir Abdullahu: Për komunën e Prishtinës, siç e ceka dhe më lartë do të ketë projekte për kanalizime dhe ujërat e zeza, pra jemi në proces dhe po presim që këto projekte të konkretizohen. Aktualisht po punojmë në zëvendësimin e rrjetave të vjetra të furnizimit me ujë, jo vetëm në kryeqytet por edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Njëra nga projektet që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, janë investimet zvicerane të cilat po lehtësojnë investimet e ‘Fazës së pestë’, ku përfshihen edhe investimet e nga ana e Qeverisë, Komunave dhe Ujësjellësit. Për këtë vit, besoj se do të përfundohen projektet në fshatrat rreth Lipjanit dhe Drenasit, të cilave do t’u mundësohet furnizimi me ujë të pijshëm.

Bashkëpunimi mes institucioneve, komunave, donatorëve dhe kompanisë, kanë bërë që të zgjidhen një mori problemesh që qytetarët kanë pasur sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, andaj mendoj se ky bashkëpunim i ndërsjelltë që kemi duhet të vazhdojë edhe për vitet e ardhshme.

Aktualisht, jemi duke hyrë në fazën e trajtimit të ujërave të zeza, për arsye se të gjitha komunat që ne i furnizojmë derdhen në lumenjtë tonë si në Sitnicë, Llap apo Drenicë. Shkarkimi i ujërave të zeza në lumenjtë tanë, sigurisht përbën ndotje andaj edhe po punojmë në këtë drejtim.

Ballkani.info: Aktualisht, sa përqind e Kosovës furnizohet me ujë të pijshëm dhe sa ka vende që nuk iu është mundësuar furnizimi me ujë të pijshëm?

Ilir Abdullahu: Nëse flasim në nivel qëndror, Kosova edhe pse shtet i ri, në rajon e ka mbulueshmërinë më të madhe që sigurohet përmes sistemit të ujësjellësit. Në përqindje mund të them se ujësjellësi furnizon me ujë rreth 87% të vendit, përqindje kjo e cila është më e mirë se shumë vende të Ballkanit dhe Evropës Juglindore. Këtë që po e them, po e bazoj në raportet e Bankës Botërore dhe analizave të tjera, gjë që është shumë e mirë për ne, andaj na mbetet të punojmë më shumë në investime dhe mbulueshmëri më të madhe.

E gjithë kjo punë është arritur nga përkrahja që kemi nga investimet e Komisionit Evropian, pastaj donatërt e tjerë. Aktualisht jemi mbrapa në trajtimin e ujërave të zeza, por edhe në këtë drejtim ka lëvizje pasi që po bëhet ndërtimi i impliantit në Prizren, Gjakovë e Pejë, ndërsa pritet të nis puna edhe për impliantet në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë. /Oqean Dermaku – Ballkani.info/