Abdullahu: Diaspora jonë në SHBA mos ta dëgjoj Kurtin, të votojnë për më të mirin

Analisti Faton Abdullahu, ka thënë se diaspora shqiptare në SHBA duhet të votoj për kandidatin më të mirë.

Ky reagim i Abdullahut vjen pas lideri i VV’së Albin Kurti, publikisht tha se shqiptarët në SHBA duhet të votojnë për kandidatin për president nga radhët e demokratëve, Joe Biden.

Abdullahu po thotë që diaspora jonë në SHBA nuk duhet ta dëgjoj Kurtin, por të votoj për kandidatin më të mirë.

“Diaspora jonë ne SHBA nuk duhet ta dëgjoj Kurtin, jo pse Biden nuk do të jetë i mirë me ne, por pse Kurti nuk ishte i mirë me Trampin”, ka shkruar ndër të tjera Abdullahu.

Statusi i plotë:

Diaspora shqiptare në SHBA duhet ta votoj kandidatin më të mirë

Diaspora jonë ne SHBA nuk duhet ta dëgjoj Kurtin, jo pse Biden nuk do të jetë i mirë me ne, por pse Kurti nuk ishte i mirë me Trampin.

Me rastin e zgjedhjeve në SHBA me tre Nëntor ne duhet t’i besojmë qytetarëve amerikan në përgjithësi dhe diasporës atje gjithsesi. Ne duhet t’i besojmë prirjes së tyre për të vlerësuar drejtë se do ta votojnë më të mirin, kandidatin që më së shumti e meriton të jetë në krye të Administratës në Uashington edhe për katër vite. Kjo prirje e qytetarëve amerikan nuk na ka zhgënjyer asnjëherë në këto dy dekadat e fundit. Kjo qasje, pa preference për cilin kandidat, ka qenë edhe qasja institucionale edhe qasje e pushtetarëve të Kosovës dhe është dëshmuar se ka qenë edhe pragmatike edhe e dobishme. Lideri i VV-së e ka thyer këtë rregull dhe ka gabuar shumë. Por ai ka qenë i shtrënguar ta bëjë një gjë të tillë. Z. Kurti e bëri këtë në rend të parë që t’i amortizoi akuzat kundër tij dhe subjektit të tij politik se kanë prishur raportet e Kosovës me Administratën në Uashington. Ai me preferencën e tij për Biden sikur dëshiron të thotë, ja unë nuk jamë kundër SHBA-së siç po më thonë disa, por vetëm jamë kundër Trampit. Për ta dëshmuar se është kështu, Kurti përpiqet që të jetë vetëm me Bidenin. Çfarë axhamillëku politik. Nëse lexohet me kujdes dhe nëse përcillet me vëmendje ajo çfarë thonë dhe bëjnë Biden (demokratët) dhe Tramp (republikanët) për Kosovën dallime nuk ka, apo thënë me më shumë precizitet, janë aq minore sa nuk ja vlenë të përmenden. Por Kurti i dallon ata shumë, vetëm me qëllim që ta arsyetoj qasjen e tij jo pragmatike ndaj Administratës Tramp. Kurti e preferon Bidenin jo që ta mbroj Kosovën nga Trampi, por që ta mbroj veten sot nga axhamillëku i tij politik dje. Diaspora shqiptare duhet të votoj si të ja merr mendja asaj. Kurti nga përtej oqeani nuk mund tua jap këtë leksion atyre. Shqiptarët thonë ‘E di luga çfarë ka vegshi’. Diaspora jonë nuk duhet ta dëgjoj Kurtin, jo pse Biden nuk do të jetë i mirë me ne, por pse Kurti nuk ishte i mirë me Trampin. Fundja ne si Kosovë do të jemi me atë kandidatë që e përzgjedhin qytetarët amerikan, jo me atë që preferon Kurti. Interesat e Kurtit në këtë segment nuk janë të mëdha sa ato të Kosovës, por janë reduktuar në ato partiake e individuale.