Kryetari i LDK-së

Abdixhiku u jep mbështetje grave, përveç Nënkryetares sot u emëruan edhe dy Drejtoresha

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pas Kuvendit X të partisë, deputetet e kësaj partie, Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili, u zgjodhën nënkryetare të partisë.

Kica-Xhelili është nënkryetare e partisë për marrëdhënie me jashtë, kurse deputetja Bajrami nënkryetare për Politika Zhvillimore.

Që nga prishja e koalicionit qeverisës me PDK-në në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka emëruar tri gra në pozita udhëheqëse në Komunë.

Jehona Lushaku-Sadriu javë më parë është emëruar si nënkryetare e Prishtinës.

“Duke e njohur nga afër, si një grua të fortë, me plot vullnet e përkushtim në secilin angazhim që ajo merr, Jehona thjeshtë është një vlerë për Prishtinën dhe gjithë ne”, kishte shkruar më 7 shkurt kryetari i LDK-së.

Derisa sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se edhe dy gra tjera nga partia e tij, janë emëruar si udhëheqëse të dy drejtorive.

“Sibelit i urova detyrën e re, të Drejtoreshës së Kulturës në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Përgjatë 3 viteve të shkuara, Sibelin e njoha jo vetëm si një bashkëpunëtore me motiv e energji përplot, por edhe si një pasionante e përkushtuar e kulturës. Sot, jam i bindur se puna e saj në Kryeqytet do të jetë me përplot përkushtim e zell. Që peizazhi kulturor i Prishtinës sot merr vërtetë vlerë”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Përveç Sibel Halimit, edhe Donjeta Dragusha, do të udhëheqë një drejtori, atë për Zhvillim Rural në Kryeqytet.

“Donjeta i bashkohet Jehonës e Sibelit, në detyrat e sapo marra, si tre gra – të pavarura, profesioniste e me integritet. Ato rreth vetes kanë gjetur e do të gjejnë një ekip të dalluar qeverisës; gjersa para vetes kanë detyra sa fisnike aq dhe me pritje të mëdha; në arsim, kulturë e bujqësi; ku qytetarët presin, ku qytetarëve duhet tu shërbejmë me plot vullnet e pastërti”, ka shkruar Abdixhiku.

Donjeta Dragusha në procesin e fundit zgjedhor të LDK-së, u zgjodh Kryetare e Degës së Parë në Prishtinë.