Fitorja e Kosovës

Abdixhiku: Turbopatriotët sot e morën përgjigjen nga djemtë më të zot të Kosovës

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar ashpër pas fitores së Kosovës ndaj Maltës, kundër atyre që dikur i ofendonin futbollistët e Kosovës dhe ata që nuk dëshironin që Kosova ta ketë Kombëtaren e vet në futboll.

Lexojeni postimin e plotë:

Jo shumë larg nga sot djemtë e Kosovës ishin objekt fushate ofenduese nga ‘patriotë’ turbofolk që me naivitet sugjeronin se Kosova s’duhet ta ketë Kombëtaren vet. Se shteti ynë duhet lënë të poshtrohet nga secili kundërshtar që na vjen. Djemtë tanë i quanin tradhëtar e mercenarë; i shanin e fyenin veçse të njëjtit kishin vendosur të bënin gjënë më të madhe të mundshme për një shtet – ta përfaqësonin denjësisht Republikën e vet. Mbaj në mend dhe mesazhet falenderuese që asokohe mi dërgonin disa nga këta djem – tregonin presionin dhe padrejtësinë që ndjenin atëherë.

Turbopatriotët e mohuesit sot janë pakicë. S’ndihen më. Ata morën përgjigjen e drejtë nga djemtë më të zot të Republikës – në fushë dhe me kohë. Kombëtarja e Kosovës në futboll ngadalë por sigurtë po bëhet. Po bëhet madje e fortë. Por mbi të gjitha, refuzuesit e Kosovës përgjigjën më të mirë e marrin në secilin ballafaqim nga qytetarë tanë – në rreshta të pafund pritjeje, në emocionet e secilës shtëpi, në stadiume përplot edhe kur përballë kemi kundërshtarë si Malta e Ishujt Faroe.

Kjo është Kosova jonë; ky është shteti ynë!
Sot duhet të ndihemi krenarë të gjithë.