Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schubel.
Në njoftimin e LDK-së, thuhet se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e konstituimit dhe funksionalizimit të institucioneve, si dhe për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike dhe institucionale në Kosovë.
“Abdixhiku theksoi përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe garantimin e funksionalitetit të institucioneve demokratike dhe stabilitetit institucional”, thuhet në njoftim.
Kreu i LDK-së theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe e mbështetjes së vazhdueshme të BE-së për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
“Në fund, kryetari Abdixhiku falënderoi ambasadorin Schubel për bashkëpunimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian në Kosovë”, u tha në njoftimin e LDK-së.







