Abdixhiku s’jep shenja pozitive: Nëse VV-ja e çon vendin në zgjedhje s’mund të ketë koalicion me LDK-në, mundet me PDK-në

Nëse dështon arritja e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për krijimin e qeverisë dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, sipas Lumir Abdixhikut të LDK-së, nuk mund të ketë më pas bashkëpunim mes dy partive.

Ai ka thënë se nëse Vetëvendosje e çon vendin në zgjedhje, do t’i duhet të marrë partnerë të tjerë nëse fiton zgjedhjet, përfshirë PDK-në, për të cilën është deklaruar vazhdimisht se nuk pranon bashkëpunim me të.

“LDK-ja po provon çdo ditë për të bërë marrëveshje, madje duke duruar edhe të themi gjuetinë publike mirëpo LDK-ja as nuk i shkakton zgjedhjet por as nuk i pengon. Pas zgjedhjeve, nëse s’ka marrëveshje tash, unë nuk shoh marrëveshje LDK – VV në të ardhmen dhe Vetëvendosje duhet të gjejë një parti tjetër duke përfshirë këtu që të bëjë koalicion me PDK-në”, ka thënë Abdixhiku. “Në zgjedhjet e ardhshme, unë besoj se do të ketë koalicion parazgjedhor. S’ka logjikë [koalicion mes LVV-LDK] nëse nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje për krijim të qeverisë. Po e them kështu, ky është momenti i fundit që të merremi vesh”.