Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Prishtina i beson LDK-së, e jo atyre që e kanë bllokuar.

“Në Prishitnë po bëhet një punë e jashtëzakonshme edhe përkundër bllokadave që janë bërë. Prishtina sheh, kupton dhe do ta jap verdiktin final”, ka thënë Abdixhiku në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Sipas tij, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku – që ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të Prishtinës – i ka bllokuar projektet e kryeqytetit. “Prishtina duhet me u dashtë, jo me u lakmu. Kur e don Prishtinë, nuk e bllokon. Nuk ia bënë këtë kryeqytetit dhe qytetarëve të Prishtinës. Këta e kanë blloku”, ka thënë Abdixhiku. I pari i LDK-së ka thënë se shumë shepjtë do të bëjnë publike kandidaturët për kryetarë të komunave.

“Pjesa më e madhe ku qeverisim do të kemi rikandidime. Po bëhet lista e përbashkët e 1045 asamblistëve. Synimet janë që të marrim mbështetje në komunat ku kemi punuar për këto 4 vite mbarë e mirë dhe në komunat ku s’kemi pasur qeverisje. Nuk do t’i humbim asnjë që i kemi. Po punojmë që të fitojmë”, ka thënë ai.