Abdixhiku pas vdekjes së Berishës: Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dërguar ngushëllime familjes së ish-nënkryetarit të LDK’së, Kolë Berisha, i cili ka vdekur sot si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Abdixhiku në telegramin e ngushëllimit ka shkruar se mëngjesi i sotëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për familjen Berisha, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendin tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Abdixhiku ka thënë se përpjekjet e Berishës për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi.

Telegram i plotë:

Telegram ngushëllimi

E nderuara familje Berisha,

Mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën.

Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë.

Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi.

Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha.

Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta.

Lumir Abdixhiku

Kryetar i LDK-së