Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas aksionit të Prokurorisë Speciale në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë për skandalin me tenderin për mbetjet shtazore.

Pas lirimit në procedurë të rregullt të ministrit në detyrë, Faton Peci, ka reaguar bashkëpartiakja e tij Donika Gërvalla.

E pikërisht lidhur me reagimin e Gërvallës është kundërpërgjigjur Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, piskama e tyre nuk do të kenë më asnjë vlerë.

“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni. Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve. Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë. Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!”, thuhet në postimin e Abdixhikut në Facebook.