Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Dragash, ku ka zhvilluar takime me qytetarë dhe ka prezantuar vizionin e LDK-së për forcimin e familjes dhe politikat shtetërore në mbështetje të saj.

Abdixhiku e ka përshkruar Dragashin si një qytet të familjeve punëtore, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ku solidariteti dhe bashkëjetesa kanë qenë gjithmonë mbi vështirësitë. Sipas tij, Dragashi është ndërtuar mbi familjen, gjë që e bën këtë komunë të veçantë.

Në fjalën e tij, kreu i LDK-së ka theksuar se për këtë parti familja nuk është thjesht një kategori sociale, por pasuria më e madhe kombëtare e Kosovës. Ai ka deklaruar se familja është vendi ku lind jeta, ku formohet karakteri, ku ruhen gjuha, tradita, morali dhe ndjenja e përkatësisë, duke nënvizuar se pa familje të fortë nuk ka shtet të fortë dhe as zhvillim afatgjatë.

Abdixhiku ka theksuar se në Dragash roli i familjes ka qenë historikisht jetik, duke shërbyer si sigurim social në mungesë të shtetit, si mbështetje ekonomike dhe si strehë morale për qytetarët. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se sot familja po përballet me presione të mëdha ekonomike, sociale dhe demografike, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e shtetit.

Sipas Abdixhikut, LDK ka marrë një vendim të qartë politik dhe moral që Kosova të investojë seriozisht dhe drejtpërdrejt në familje, përmes politikave të qëndrueshme shtetërore. Ai ka bërë të ditur se LDK synon themelimin e një Ministrie të Familjes, duke theksuar se familja nuk është barrë për buxhetin, por investimi më i sigurt për të ardhmen e vendit.

Ai ka shtuar se LDK ka program të qartë për familjen dhe kuadro profesionale për realizimin e këtij vizioni.

Në fund, Abdixhiku ka theksuar se Dragashi përfaqësohet në listën zgjedhore të LDK-së nga tre kandidatë, të cilët i ka cilësuar si profesionistë dhe të dëshmuar në arsim, menaxhim dhe angazhim lokal: Esra Myrtezani me numër 96, Zeni Krasniqi me numër 95 dhe Samidin Xheladini me numër 94.