Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku sonte në një takim me banorët e Sferkës së Klinës ka thënë se LDK-ja dhe populli janë bërë tashmë një.

Abdixhiku është shprehur se popullizmit, të majtës, ndarjes e përçarjes, duhet t’i dalim në ballë vetëm ne, sepse siç u shpreh ai, Republika jonë është nën sanksione, e ndarë dhe e përçarë.

“LDK dhe populli janë bërë tashmë një, e kur bëhen një s’ka asgjë që na ndalë. Ka kohë që e kemi pritur këtë moment”.

“Ka kohë që i kemi pritur këto zgjedhje, sepse popullizmit, të majtës, ndarjes e përçarjes, duhet t’i dalim në ballë vetëm ne, siç i kemi dalë përherë, edhe këtë herë, sidomos këtë herë, sepse Republika jonë është nën masa, është nën sanksione, është e ndarë, është e përçarë, është e përplasur me secilin akter, brenda Kosovës, në rajon e në arenën ndërkombëtare.

Kjo s’është ëndrra e të djathtëve, kjo s’është ëndrra e rugovistëve, kjo s’është ëndrra qe e kanë bërë këtë shtet, s’është ëndrra e atyre që kanë thirrur 35 vite më parë “liri, pavarësi, demokraci”, është shprehur Abdixhiku.