Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me qytetarë në Ferizaj në kuadër të platformës “Hajde Folim”.

Përmes një postimi publik, Abdixhiku ka bërë të ditur se ka qëndruar në sheshin e Ferizajt mes qytetarëve të shumtë, të cilët kishin pyetje, ide dhe interesim për zhvillimet në vend.

Sipas tij, “Hajde Folim” përfaqëson një formë të drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, pa distancë dhe pa skenografi politike.

“‘Hajde Folim’ është sot platforma e vetme politike në Kosovë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët; pa skenografi, pa monologë, pa distancë. Ballë për ballë, me pyetje, debat e bashkëbisedim të hapur për jetën e njerëzve, brengat e tyre dhe rrugën që duhet ta bëjmë përpara”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se në Ferizaj, ashtu si edhe në pjesë të tjera të Kosovës, ka takuar qytetarë kritikë, kërkues dhe me shpresë për ndryshim.

“Në Ferizaj, si gjithandej në Kosovë, gjetëm qytetarë të interesuar, kritikë, kërkues e plot shpresë. Sepse kur njerëzit dëgjohen, politika fillon të ketë kuptim”, është shprehur ai.