Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka prezantuar sonte kandidatin e këtij subjekti për kryetar të Ferizajt, Visar Azemin.

“Jemi mbledhur në Ferizaj – qytetin që në formën më të mirë të mundshme shpërfaqet gjithnjë si kryqëzim i jetës ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë. Porta që lidh veriun me jugun, lindjen me perëndimin. Shembull i qytetit që është rritur me punë, është zhvilluar me mund dhe ka mbajtur gjithmonë gjallë shpirtin e tij të hapur e energjik”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se në Ferizaj është rritur një brez i tërë që nuk është mësuar të presë dhurata nga askush, por që çdo gjë e ka ndërtuar me djersë, me mund dhe me krenari.

“Dhe pikërisht sepse është i tillë, ky qytet punëtor e zhvillimor meriton edhe një udhëheqje të tillë – përtej të zakonshmes, përtej klishesë. Kjo udhëheqje na vjen me Visar Azemin, kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Ferizajt. Visari është shembulli i njeriut që e njeh Ferizajn në rrënjë; i njeh hallet e qytetarëve, të familjeve punëtore, të rinisë dhe të bizneseve të tij. I rritur mes jush dhe i zhvilluar nëpër botë, ai vjen me gjithë potencialin e një profesionisti që hap një epokë të re për qytetin”, ka thënë kreu i LDK-së.

Sipas tij, me formim akademik në inxhinieri elektrike nga Universiteti i Prishtinës dhe studime pasuniversitare në menaxhim financiar ndërkombëtar në Universitetin e Maryland, Azemi përfaqëson një gjeneratë që kombinon dijen teknike me vizionin strategjik.

“Nga udhëheqja e organizatave e projekteve të mëdha deri tek përvoja e tij si ligjërues në bazat ushtarake amerikane, Visari ka treguar aftësi të veçanta për të menaxhuar, organizuar dhe frymëzuar. Ky frymëzim për etapën e re zhvillimore i duhet Ferizajt tani. Me përvojën, përgatitjen dhe përkushtimin e tij, Visar Azemi është udhëheqësi që vendos qytetarin në qendër të çdo vendimi, që punon me transparencë dhe që beson se Ferizaj mund e duhet të jetë shembull i zhvillimit lokal në Kosovë. Të priftë e mbara Visar!”, ka përfunduar Abdixhiku. /Ballkani.info/