Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se vrasja e gjakftohtë e 8,372 civilëve boshnjak nga aparati shtetëror dhe represiv serb më 11 korrik të vitit 1995, është tragjedia më e madhe njerëzore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Postimi i plotë:
“Sot në 29 vjetorin e gjenocidit së Srebrenicës, kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimtat e këtij akti çnjerëzor. Vrasja e gjakftohtë e 8,372 civilëve boshnjak nga aparati shtetëror dhe represiv serb më 11 korrik të vitit 1995, është tragjedia më e madhe njerëzore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Plagët dhe dhimbjet e familjeve, janë ende të thella dhe të rënda për faktin se edhe pas shumë viteve, nuk ka drejtësi për Srebrenicën dhe mohuesit e saj – mbi të gjitha janë plagë të paharrueshme.
Gjersa, mohimi i vazhdueshëm i këtij gjenocidi nga shteti serb si dhe proklamimi i projektit politik e kulturor për Serbinë e Madhe tregojnë qartazi për mospendesën e Serbisë dhe qëllimet e pandryshueshme historike për destabilizimin e rajonit. Mospendesa, mohimi e ikja nga përgjegjësia vazhdojnë të dëmtojnë jo vetëm relacionet mes popujve por dhe të ardhmen e përbashkët euroatlantike që Ballkani Perëndimor duhet të ketë.
Sot, në këtë ditë përkujtimi është imperative që Serbia të përballet me të shkuarën e saj, të pendohet për këtë të shkuar dhe të angazhohet drejt paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajonin tonë.
Askush më mirë se ne, nuk e njeh këtë dhimbje. Kosova ndjenë me datat si 11 korriku, sepse ngjashëm ishte viktimë e spastrimit etnik serb. Ne, sot dhe përherë përkujtojmë të gjithë viktimat e regjimit shfarosës serb. Le të jetë kjo ditë përkujtimi; por dhe reflektimi që të mos ndalemi të punojmë për paqe për gjithë njerëzimin.’’
Në 29 vjetorin e gjenocidit në Bosnjë, tashmë 11 korriku është shpallur edhe zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në kalendarin zyrtar të OKB-së.







