Abdixhiku mesazhe Agim Veliut e Skënder Hysenit: Mos mbani ligjërata, e sollët LDK-në në nivel të AAK-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është treguar i ashpër me kritikët e tij brenda partisë, që vijnë kryesisht nga zyrtarë që dikur kishin pushtet të pakufizuar në LDK.

Abdixhiku u ka çuar një mesazh, duke u thënë që nëse kanë ide të reja, mund t’i paraqesin në Kuvendin e radhës të LDK-së, në Pranverë.

“Nëse kanë ide tjetër, në pranverën e vitit të ardhshëm le ta paraqesin në Kuvendin e LDK-së”, ka theksuar Abdixhiku në emisionin Pressing të T7.

Duke mos përmendur emrat e tyre, kur është pyetur nga autori i emisionit për kritikat që vijnë kryesisht nga zyrtarët e partisë, Agim Veliu e Skender Hyseni, Abdixhiku ka thënë se me ta partia kishte shënuar rënie të madhe.

“E kanë pru LDK-në në nivel të AAK-së. Mos t’më japin ligjërata. S’mund të më japin as mua e as kolegëve të mi se si qeveriset me një parti”, ka deklaruar ai.

“Nuk i kuptoj se si njerëzit e LDK-së e bëjnë opozitën kundër LDK-së. Ne nuk jemi të imponuar në LDK, ne jemi të zgjedhur aty. Këta që opozitën e vetme e bëjnë kundër LDK-së, s’i kuptoj fare. Saherë që bëjë diçka ka një kor gazmor, që nis me një ish-zyrtar të LDK-së dhe përfundon me një gazetar të ish-pushteteve dhe të gjithë bashkë më sulmojnë mua”, ka përfunduar ai.