Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një mesazh publik në prag të ndërrimit të viteve, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve si të dhimbshëm për partinë dhe mbështetësit e saj, por duke theksuar se ai përbën verdiktin e qytetarëve që duhet respektuar.

Në postimin e tij, Abdixhiku falënderoi anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së për angazhimin dhe sakrificat gjatë fushatës, duke pranuar se zhgënjimi është i pranishëm, përfshirë edhe tek ai vetë. “Besimi ynë në Kosovë, në demokraci dhe në të ardhmen nuk duhet të shuhet kurrë,” shkroi ai.

Kreu i LDK-së e cilësoi vitin që po mbyllet si një periudhë reflektimi personal dhe politik, duke theksuar se ka dhënë maksimumin me ndershmëri dhe përkushtim. Ai paralajmëroi një fazë reflektimi dhe vendimmarrjeje brenda partisë, duke shtuar se sqarimet dhe qëndrimet e tij do t’i shpalosë “me kohë e në vendin e duhur”.

Abdixhiku theksoi gjithashtu përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj vendit, pavarësisht zhvillimeve politike, ndërsa në fund të mesazhit u ndal edhe në aspektin personal, duke shprehur dëshirën që fundviti t’i kushtohet familjes dhe dy vajzave të tij.

Në urimin e Vitit të Ri 2026, ai uroi qytetarët për shëndet, paqe dhe një vit “më të butë, më njerëzor dhe më të drejtë për Kosovën”, duke përfunduar mesazhin me thirrjen: “Zoti e bekoftë atdheun tonë.”