Abdixhiku mbledh kryetarët e Degëve, diskutohen reformat e thella në parti dhe përgatitjet për zgjedhje lokale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka takuar sot kryetarët e degëve të partisë, për të diskutuar lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve lokale.

Express mëson nga burimet e veta se në takim është diskutuar për reforma në parti dhe për përgatitjen e degëve të LDK’së për t’u futur në zgjedhje lokale.

“Në takim është diskutuar për reforma të thella dhe për përgatitjet për zgjedhje lokale”, ka thënë ky burim.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në nëntor të këtij viti.

LDK është partia që qeveris me më së shumti komuna në Kosovë. Komunat e fituara nga LDK’ja në vitin 2017 janë: Peja, Lipjani, Fushë-Kosova, Vitia, Gjilani, Podujeva dhe Vushtrria.

Ndërsa në vitin që lamë pas, LDK’ja humbi komunën e Podujevës. Kjo për shkak se ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, zgjodhi të bëhet ministër në Qeverinë Kurti 1.

Rrjedhimisht, Podujeva shkoi në zgjedhje dhe fitues doli ish-anëtari i LDK’së, Shpejtim Bulliqi, i cili qeveris me Podujevën në emër të Vetëvendosjes.

LDK doli e treta në zgjedhje qendrore dhe mori vetëm 12%. Pas kësaj, kryetari i LDK’së dhe kryesia e saj dhanë dorëhejqe.

Në zgjedhjet e brendshme Lumir Abdixhiku u zgjodh kryetar duke mposhtur me vota kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin.

Reformat e para brenda partisë Abdixhiku i bëri duke lënë figura të ‘vjetra’ jashtë kryesisë, një ndër ta edhe Agim Veliun.